Thethi ndodhet në pjesën qëndrore të Alpeve të Shqipërisë, 900 metër mbi nivelin e detit, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nemuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është qendra turistike - alpinistike më e rëndësishme e zonës veriore. Gjendet 70 km larg nga qyteti i Shkodrës dhe 172 km larg Tiranës

Me datë 21.11.1966 zona malore e Thethit është shpallur park kombëtar për pasuritë, bukuritë dhe vlerat natyrore e rralla të saj. Ka një sipërfaqe 2630 ha, nga e cila 1680 ha janë pyje dhe pjesa tjetër kullota dhe sipërfaqe shkëmbore. Administrohet nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Qarku Shkodër.

Parku është ndërkufitar me vlera të larta të biodiversitetit në lidhje me habitatet, llojet bimore e shtazore. Takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine, mjaft përrenj e lumenjë malor, liqene akullnajore, etj. Park i pasur në endemizma e subendemizma si Gentiana, Luthea,Ëulfenia, Baldaccii, Viola, Dukagjinica, Lilium, Albanicum etj. Takohen dhe gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariuimurme (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus), derri egër (Sus scrofa), ndërsa nga shpendët prania e gjelit të egër (Tatrao urogallus) dhe shqiponjës së maleve (Aquila chrysaetos). Në ujrat e freskëta e të pastër të lumit të Thethit dhe Shalës takohet lloji globalisht i kërcënuar i lunderza (Lutra lutra). Parku, përveç vlerave të mëdha shkencore, didaktike, peizazhore etj, mbart potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit, veçanërisht atë alpin dhe kulturor.

Thethi kufizohet nga të gjitha anët me maja të larta shkëmbore të dy blloqeve më të sipërme, të cilat bien thik në luginë dhe formojnë pamje të papërsëritshme të tilla, simaja e Radohimës (2,570 m), e Arapit (2,217 m), e Paplukës (2,569 m), e Alisë (2,471 m) etj. Poshtë në luginë, në lartësitë 750-800 m, shtrihet Thethi piktoresk në të dyja anët e lumit të Shalës me fshatrat e tij.