Gjithë zona e Alpeve njihet për gatimet tradicionale. Megjithatë brenda zonës së Alpeve gatimi ndryshon nga një fshat në tjetrin. Zona ka traditë gatimin e bukës së misrit, e cila gatuhet në mënyrë tradicionale (çerep/sac) dhe serviret me shëllirë.

Tradita kulinare është e thjeshtë, por shumë e ndjerë. Të gjitha llojet e gatimeve tradicionale janë të bazuara në prodhimet bujqësore e blegtorale vendase, kryesisht prodhime natyrore. Në ushqimin që shërbehet spikatin djathi i lopës, djathi i deles, gjalpi, veza, djathë i zier, djathë i shkrirë, djathi mishavina (vetëm në Kelmend), mishi derrit, mishi qengjit (fërlik), mishi lepurit të egër, mishi i thatë (pastërma), sunxhuku vendas, lakra, patatja, turshia, fasulet, kaçamaku, qumështi, kosi i kulluar, maza (kajmaku) e qumështit, gjiza etj.

Për gatimin e gjellërave zakonisht përdoret tlyeni (gjalp) dhe maza (kajmak). Ndër gatimet karakteristike për raste si festat lokale janë çorba, qervishi, flia, maza e zime (kajmaku i zier), pitja (byreku), laknuri, qeshkeku, kaçamaku etj., ndërsa ëmbëlsirat kryesore tradicionale janë rezhniku (qumështori), hallma (hallva), orizi me qumësht, revania, shëndetlia, bakllavaja, lakrori ëmbëlsirë, petullat me mjaltë etj.

Gjithashtu, karakteristikë tjetër e kësaj periudhe është dhe konservimi i frutave nga stina e verës në dy mënyra kryesore si tharja e tyre deri procesin përfundimtar (oshaf) dhe reçeli tradicional me pothuajse të gjithë frutat e rrethit (reçel fiku, molle, kumbulle, ftoi etj.).

Asnjë vizitor nuk zhgënjehet nga shijet e vecanta dhe gatimet shumëngjyrëshe që i detyrohen ekzistences së tyre në shumllojshmërinë e pasur bujqësore të zonës.