Në fshatra vazhdon ende të jetë e përhapur tradita e artizanatit, që bazohet në zejtari, e cila zë fill që në lashtësi. Aktiviteti i mjeshtërve bazohej në përpunimin e gurit, drurit dhe qeramikës. Guri dhe druri ishin dy element, të cilët gjenin përdorim në ndërtimin e shtëpive, kalave, qytezave, tumave, krojeve, staneve, veglave të punës dhe mullinjve. Këta elementë shoqëroheshin edhe me gdhëndie dhe zbukurim të objekteve të vogla, si zbukurimi i kërrabave të barinjëve, furkat, boshtet, djepet për fëmijët, karriget, sënduk, vegla të ndryshme muzikore, etj.

Qeramika përdoret për puniminin e enëve për pjekjen e bukës (çerep) dhe enëve për gatim (vegsh). Aktiviteti artizanal i grave përqëndrohej tek thurjet, vektaria (mënyra tradicionale e krijimit të qilimave dhe sexhadeve), endjet me grep, por edhe dekorimi i hershëm i armëve, thurja e veshjeve tradicionale popullore dhe përpunimi i instrumenteve popullore të zonës.