Agroturizmi: Punimi dhe mirmbajtja e tokës, kultivimi i saj, vjelja dhe përpunimi i produkteve, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve blegtorale është ajo çka ofrohet në fshatrat e Alpeve. Të gjitha këto aktivitete kombinohen shumë lehtësisht me ecjet në shtigjet e shënuara të fshatrave, vizita në mullinj, ujvara, stane përgjate shtigjeve ku mund të blihen produkte blegtorale organike të zonës apo të shijohet nje caj mali ose kos i freskët bjeshke. Ndërlysa, Thethi, Dragobia, Cerremi, Lëpusha janë mishërimi perfekt i këtij lloj turizmi. 

Qëndrim në fermë: Fermat në Alpe janë relativisht të vogla. Fermat zbatojnë praktika të mira në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, mundësisht bujqësinë dhe prodhimet organike (bio). Vizitorët janë të ftuar të jetojnë dhe të punojnë me familjaret të cilët fillojnë punët e tyre që herët në mëngjes duke filluar me mjeljen dhe me dërgimin e gjese së gjallë në kullota, punë tëcila kryhet kryesisht nga kryefamiljari. Ndërsa zonjat merren me mbledhjen e perimeve dhe zarzavateve në kopësht si dhe përgatitjen e gatimeve të shijshme për vizitorët. 

Artizani rural: kushtet e vështira të jetesës në male kanë bërë që zejtaria të jetë një nga mjeshtëritë të cilën banorët e kanë zhvilluar dhe pasuruar me kalimin e viteve. Përpunimi i drurit, thuprave dhe gurit janë disa aftësi të cilat janë zhvilluar dhe trashëguar nga brezi në brez. Punimi i veglave muzikore dhe veglave të punës, rregullimi i gardheve, punimi i dyerve dhe dritareve, kosheret e bletëve, enët e guzhinës, koshave, etj., jane punët me të cilat kalonin dimrat e ashpër banorët e Alpeve. 

Festivalet bujqësore: të gjitha festat që organizohen në Alpe, kanë gjithmonë të attashuar tavolina të mëdha të cilat prezantojnë shportat e pasura me produktet lokale të Alpeve. Gjithashtu nuk mungojnë asnjëherë dhe gatimet tradicionale të përgatitura nga profesionistët e zonës. Festivalet më të njohur të Alpeve janë “Miss Bjeshka” në Kelmend, “Dita e Bjeshkës” në Theth, Sofra Dardane në Valbonë, “Dita e Gështenjës” në Tropojë, “Dita e Agroturizmit” në Reç dhe “Nata e Buzmit” në Nikaj-Mërtur.