Alpet janë një destinacion ideal për një gamë të gjërë të aktiviteteve malore, duke përfshirë “turizmin e bardhë” gjatë sezonit të ftohtë të dimrit dhe “turizmin e gjelbërt” në muajt e verës. 

Aktivitetet turistike përfshijnë sportet e dimrit, alpinizëm, ecje malore, eko-turizëm, peshkim, kamping, çiklizëm dhe motoçiklizëm malor, ngjitje në shkëmb dhe eksplorim shpellash. 

Një nga projektet më të suksesshme të turizmit është shtegu 192km i gjatë i quajtur “Majat e Ballkanit” i cili ndodhet kryesisht në Parkun e Paqes Bllaknike. Ky shteg ndërkufitarë që shtrihet përmes Alpeve të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi fitoi çmimin “Turizëm për të nesërmen” në vitin 2013, i dhënë nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit. www.peaksofthebalkans.com

Marshim:  Zona e Alpeve Shqiptare ofron shtigje me nivele të ndryshme vështirësie. Së fundmi janë zhvilluar disa shtigje tematike, si për shembull shtigjet e letërsisë, shtegu i gështenjës dhe shtegu i luleshtrydheve. Të gjitha shtigjet janë të shënuara me shenja të kuqe dhe të bardha. Mënyra më e mirë për të marrë informacion rreth shtigjeve dhe pikave të tyre fillestare është të pyesni ose te merrni një guide lokale. 

Eksplorim i shpellave: Shumë shpella mund të gjenden në park, duke përfshirë Arapin, shpella Bira e Ujit dhe ajo e Cokut në Theth, shpella e Gula Xhyla përgjatë luginës së Thethit dhe të Kirit. Shpella e Pëllumbave, Bunari Bregut te Rrethit, Shpella Haxhis, dhe Shpella e Zezë përgjatë luginës së Valbonës. Gjithashtu në Tamarë gjenden disa shpella karstike. Ndër to mund të rendisim shpella si Nënfateshe, Bunëve të Macurkut, Bunëve të Lucajve, Lugjeve të Bardhit, Gjaçka dhe Malqe Gruda në Kelmend. Frekuenca e e lartë e shpellave në rajon vjen si shkak i bollekut të gurit gëlqeror. Disa nga shpellat thuhet se kanë veti kurative. Vizitorët duhet të pyesin rreth këtyre shpellave te bujtina ku qëndrojnë. Megjithatë shumë nuk janë ende plotësisht të eksploruara dhe vizitorët duhet të jenë shum të kujdesshëm kur hyjnë në këto shpella. Për të qënë të sigurt, sygjerohet që shpellat të vizitohen me një guidë lokale. 

Vozitje me Kanoe: Të pasur në lumenj, Alpet Shqiptare janë një destinacion ideal për vozitje me kanoe.  Megjithatë, turistët që dëshirojnë të vozitin duhet të sjellin pajisjet e tyre me vete.  Shetitjet me kanoe mund të bëhen në lumejtë e Cemit dhe të Valbonës. Po ashtu një eksperincë e paharrueshme janë edhe shëtitjet në Liqenin e Komanit dhe lumit të Shalës. 

Kalërim: Kjo është një mënyrë ideale për të zbuluar peisazhet natyrore dhe fshatrat e Alpeve. Familje të shumta dhe bujtina janë të angazhuara në kultivimin e kuajve, të cilat mund të ofrojnë kuaj dhe të shoqërojnë turistat. 

Çiklizmi: entuziastët mund te gjejnë shumë rrugë të pashtruara në Kelmend duke i lejuar ata të marrin frymë në ajrin e pastër dhe të shijojnë shumllojshmërinë e peisazheve të mrekullueshme alpine dhe luginave të lumenjve të Alpeve Shqiptare. Ka shumë opsione për të bërë shëtitje me biçikletë si nga fshati në fshat ashtu edhe ture rrethore. Shtigjet e ecjeve, nuk mund të përdoren për bicikleta.